Osmani në OKB: Gratë në Kosovë kanë qenë gjithnjë në ballë të proceseve të paqes dhe sigurisë

Me ftesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në takimin e nivelit të lartë dedikuar agjendes për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Në organizimin e mbajtur në selinë e OKB-së Osmani shpalosi të arriturat dhe objektivat e Kosovës për sa i përket zbatimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Presidentja vuri në pah rolin e jashtëzakonshëm që gratë e Kosovës kanë luajtur në procese të paqes dhe sigurisë përgjatë etapave të ndryshme të historisë. Ajo potencoi se Kosova tashmë po i udhëheq përpjekjet në rajon për zbatimin e kësaj agjende”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidentja tha po ashtu se Kosova është e gatshme të japë kontribut në nivel ndërkombëtar për zbatimin e kësaj agjende, me ç’rast vuri në pah përpjekjet e Kosovës për të ndihmuar gratë në Ukrainë dhe Afganistan.

“Më këtë rast, Presidentja Osmani foli edhe për Forumin global për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet këtë vit për herë të dytë në Kosovë, si dhe paralajmëroi që Kosova do të bëhet së shpejti vendi nikoqir i qendrës rajonale të ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Zyra e Sekretarit Blinken vuri në pah arritjet e Kosovës në këtë drejtim dhe punën e Presidentes dedikuar kësaj agjende, duke e quajtur Kosovën si një ndër shembujt më të mirë të këtij angazhimi”, thuhet tutje në komunikatë.

vjosa osmani