Osmani reagon pasi Komiteti i Helsinkit e konsideroi spastrim etnik atë që po ndodh me shqiptarët në Serbi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pasi Komiteti i Helsinkit, në një raport të publikuar së fundmi e konsideroi spastrim etnik atë çfarë po ndodh me shqiptarët në Serbi.

Osmani tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë më zëshëm për këtë.

“Komuniteti i Helsinkit. ka thënë se ‘pasivizimi’ i shqiptarëve në Serbi është “një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”. Të drejtat e njeriut të të gjithë qytetarëve duhet të respektohen. Përgjigja e komunitetit ndërkombëtar deri më tani ka qenë e pamjaftueshme. Duhet bërë më shumë!”, shkroi Osmani në Twitter.

Ajo tha se këtë çështje e kishte ngritur disa herë dhe se shteti i Kosovës do të bëjë gjithçka që shqiptarët në Serbi të dëgjohen.

“Unë e kam ngritur këtë çështje në disa raste, si këtu në Kosovë ashtu edhe jashtë saj”, shkroi Osmani. “Këta qytetarë kanë mbështetjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ne do të bëjmë gjithçka që kemi në fuqinë tonë për t’u siguruar që zëri i tyre të dëgjohet.”

Komitetit i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi ka publikuar një raport me titullin “Minoriteti shqiptar në pritje, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja si pengje të marrëdhënieve Kosove – Serbi”, ku rendit të gjitha problematikat me të cilat përballen shqiptarët atje, nga mosnjohja e diplomave deri te pasivizimi i adresave, duke mos ngurruar ta quajë këtë spastrim etnik.