Osmani shokon me deklaratën e saj: Zyrtarë të lartë të VV-së, më dërguan mesazhe dhe fotografi fyese

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), Vjosa Osmani, ka folur për situatën që është krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas dështimit të koalicionit me Vetëvendosjen (VV).

Vjosa Osmani ka thënë se një parti si VV nuk mund të hyjë në bisedime për bashkëpunim, duke u munduar që palën që po bën bisedime ta qet në pozitë të keqe.

“Një parti nuk mund të hyjë në bisedime për koalicion, duke u munduar që bashkëpunuesin ta vën në pozitë të keqe para publikut. Duke mendu se si ta vendos keq bashkëpunuesin që të shahet më shumë nga qytetarët”, tha ajo.

Tutje Osmani ka thënë se këto ditë ka marrë shumë mesazhe fyese dhe fotografi të tmerrshme në telefonin e saj.

“Këto ditë gjatë bisedimeve, kam marrë shumë mesazhe dhe fotografi fyese nga zyrtarë të lartë Vetëvendosjes. Lloj të tillë të mesazheve dhe fotografive kurrë në jetën time nuk kam parë”, ka thënë Osmani duke mos treguar emra.

Në vazhdim ajo ka fajësuar VV-në për prishje të marrëveshjes, pasi që është dashur të shtyhet për një javë zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.