Osmani uron SHBA-në në Ditën e Pavarësisë, thotë shqiptarët e festojnë këtë ditë si të tyren

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ditën e tyre të Pavarësisë, duke e kujtuar rolin e tyre në lirinë e Kosovës.

“Sot, populli amerikan feston 245-vjetorin e pavarësisë, kurse ne miqtë e tyre bashkëfestojmë me ta, ngaqë kjo ditë na e kujton rolin e këtij kombi të madh për jetësimin e synimit tonë për të jetuar të lirë e të mosvarmë”, shkruan Osmani në Facebook.

“Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri”.

Osmani tha se shqiptarët ndihen të bekuar për miqësinë me amerikanët, dhe se këtë festë e përjetojnë si të tyren.”Prandaj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të. Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan.

“Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, “është e përhershme””.