Pak raste të reja me COVID-19, Kosova në frikë nga varianti ‘Delta’

Në Kosovë po vazhdon vaksinimi me vaksinën anti-Covid derisa numri i rasteve ditore po vazhdon të jetë i ulët, gjë që po reflekton edhe në numrin e ulët të rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë, por, ekziston një frikë permanente ndaj variantit ‘Delta’ të COVID-19.

Në 24 orët e fundit në Kosovë nga 2,672 persona të testuar janë regjistruar 19 raste të reja me COVID-19, janë shëruar 8 pacientë dhe nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes, derisa numri i rasteve aktive është 137.

Gjithashtu, brenda 24 orëve janë vaksinuar 12,932 qytetarë, ndërsa deri më tani numri i qytetarëve të vaksinuar me dozën e parë është 248,714, ndërsa vetëm 107,551 janë vaksinuar me dozën e dytë.

Por, përhapja e madhe e javëve të fundit e variantit ‘Delta’ të COVID-19 ka frikësuar edhe autoritetet shëndetësore në Kosovë të cilat kanë bërë apel për vaksinim me vaksinën anti-Covid në mënyrë që të evitohen masa të reja të mbylljes.

Ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nëpërmjet një konference për media bëri apel tek qytetarët që të vaksinohen pasi sipas tij varianti ‘Delta’ i COVID-19 është shumë i rrezikshëm dhe vaksinimi është alternativa e vetme.

“I ftoj të gjithë qytetarët që të vaksinohen sa më shpejtë. Jemi dëshmitarë sesi vendet e zhvilluara që kanë shënuar hapa para në vaksinim, e kanë shumë më të lehtë luftën ndaj variantit Delta, i cili është shumë i rrezikshëm. Andaj, përveç aspektit shëndetësor, duhet të mendojmë edhe për atë social e ekonomike. Vaksinohuni në mënyrë që të shmangim një valë të tretë në vjeshtë”, tha ndër të tjera Vitia në konferencë për media”, tha ai.

Edhe të mërkurën, Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje tek qytetarët që të vaksinohen sa më shumë në mënyrë që të parandalohet përhapja e madhe e variantit ‘Delta’ në Kosovë.

“Vaksinat na ndihmojnë të zhvillojmë imunitet ndaj virusit, duke trajtuar trupat tanë që: Ta njohin virusin, të prodhojnë antitrupa që na mbrojnë nga virusi” shkruante në postimin e ministrisë.

“Bëni pjesën tuaj në: Mbrojtjen e të dashurve tuaj dhe të gjithëve me të cilët kontaktoni.Ndihmën për vendin tonë në mënyrë që të hapen më tej aktivitetet ekonomike dhe sociale.” shpjegohej në postim.

Numri i vogël i të vaksinuarve në Kosovë mund të ndikojë në përhapjen e madhe të variantit Delta të COVID-19, ndërsa në anën tjetër një problem tjetër që ekziston është se Kosova nuk mund ta gjurmojë ende këtë variant të virusit Korona.