Pal Lekaj do ta padit Glauk Konjufcën

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se sa i takon homologimit të veturave do të ketë Udhëzim administrative tjetër dhe Ligj tjetër.

“Si rajon nuk është shtrenjtë, por meqë qytetarët e kanë shprehur si shqetësim, ne do të kemi një Udhëzim administrativ dhe Ligj tjetër. Brenda gjashtë muajve Kosova do të ketë treg të lirë. Ne në janar hyjmë me shpallje të interesit për kompani të tjera”, ka thënë Lekaj në RTK.

“Do të formohet Komisioni i ekspertëve dhe do të bëhet plotësim-ndryshimi i Udhëzimit administrative dhe i Ligjit. Ne do t’I hyjmë kësaj procedure”.

Duke folur për tema të tjera, Lekaj ka thënë se tashmë e ka angazhuar avokatin për ta paditur deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Kjo pasi që Konjufca gjatë raportimit të Lekajt në Komisionin e Kuvendit të Kosovës ku u diskutua pikërisht për monopolin e homologimit, iu drejtuar ministrit duke i thënë “sa pare i ke marrë nga EuroLabi”.

“Sa pare i ke marrë prej EuroLabit”, ka qenë pyetja e Konjufcës drejtuar Lekajt.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Lekaj, i cili tha se kjo është vepër penale dhe për këtë fjalë i tha Konjufcës se mund të shkojë në gjykatë.

Konjufca replikoi duke thënë se dikush ka marrë para në vitin 2009, dhe po merr edhe në vitin 2019.

“Dikush po merr para edhe tash, tregona kush”, tha ai.

E Lekaj tha se nuk ka marrë asnjëherë para nga askush dhe se nuk është i interesuar për EuroLab.

“Kjo që bëre është turp, ti më njeh edhe familjarisht. Kurrë nuk kam marrë para nga askush dhe nuk jam aspak i interesuar për EuroLab. Më vjen shumë keq në çfarë gjendje keni ardhur”, tha ai.