Prokurorja thotë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kishin ndërmarrë veprime që të zhbënin Gjykatën Speciale

Në deklaratën përmbyllëse, prokurorja nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Valeria Bolicci, ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kishin ndërmarrë veprime që të zhbënin Gjykatën Speciale.

“Në 15 paraqitje publike dhe deklarata të akuzuarit kanë deklaruar se ata po i kryenin këto veprime në mënyrë që të shpërndanin këtë gjykatë, që të zhbëhej kjo gjykatë”, tha Bolicci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta ka deklaruar se në qoftë se faktet e kësaj çështje penale nuk injorohen dhe nuk keqinterpretohet ligji i zbatueshëm, do të pranohet përgjegjësia penale e të akuzuarve si shumë e qartë.

Sipas saj, mbrojta e di shumë mirë këtë dhe prandaj e argumenton se të akuzuarit megjithatë duhet të shfajësohen nga përgjegjësia penale bazuar mbi një numër mbrojtjesh të sajuara, të cilat sipas saj nuk bazohen në dispozita të shëndosha.

Prokurorja Bolicci ka shtuar se gjatë gjithë këtij gjykimi të akuzuarit janë përpjekur që ta paraqisnin veten si përfaqësuesit, flamurtarët e një drejtësie të lartë, një version i modern i “Antigonës”.

“Ata thonë se nuk duhet të ndëshkohen sepse duke shkelur ligjin ata ndoqën synimet e drejtësisë që i kanë përkufizuar ata vetë. Ne këtu nuk do të përfshihemi në thënie se pse ligji për mbrojtjen e sekretit të hetimeve, privatësisë, sigurisë, dinjitetit mirëqenies së dëshmitarëve janë të domosdoshme dhe të drejtpërdrejtë. Ne gjithashtu nuk do të diskutojmë se pse nëse të akuzuarit në fakt u përpoqën të ndjekin apo të zbatojnë interesat e një grupi individësh kundër interesave të shoqërisë që bazohen në ligj”, tha ajo.

Sipas Boliccit, provat kundër Gucatit dhe Haradinajt janë shumë bindëse, ku siç thotë ajo në video incizime ata shihen dhe dëgjohen duke e shprehur me fjalë qëllimin e tyre kriminal në mënyrë të hapur dhe të ashpër dhe të përsëritur.

“Mbetet e pa kundërshtuar se të dy kanë bërë tre konferenca shtypi më 7,16 dhe 22 shtator 2020, nuk është kundërshtuar se ata kanë shpallë se kishin në posedim dokumente konfidenciale që i përkisnin TFH-së dhe ZPS që përmbanin emra dhe të dhëna personale të dëshmitarëve të mbrojtur si dhe nuk kundërshtohet se ata kanë shpallur se kanë dhënë këto informacione konfidenciale aty që ishin të pranishëm dhe të gjithë publikut, është e incizuar se ata iu drejtuan dëshmitarëve ose i quajtën dëshmitarët dhe ata që bashkëpunuan me ketë gjykatë si tradhtarë, gënjeshtarë, spiunë dhe bashkëpunëtorë dhe ata thanë që këta dëshmitarë nuk mund të mbroheshin më”, tha ajo.

Sipas prokurores nga ZPS, pjesa tjetër e provave që janë paraqitur në gjykatë plotësojnë dhe vulosin provën për përgjegjësinë e të akuzuarve për të gjitha krimet në aktakuzë përtej dyshimit të arsyeshëm.

“Provat shtesë erdhën jo vetëm nga dëshmitarët të paraqitur nga ZPS por papritur dhe në mënyrë shumë domethënëse edhe nga dëshmitarët që paraqitën nga mbrojtja sa herë që dëshmitarët e mbrojtjes u përballën me faktet që lidheshin me akuzat, ata nxorën prova inkriminuese njëra pas tjetrës, duke filluar edhe nga vet të akuzuarit”, tha ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nis dhënia e deklaratave përmbyllëse nga ZPS në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të hënën ka filluar dhënien e deklaratës përmbyllëse në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Kurse pas saj, trupi gjykues i kryesuar nga Charles L Smith II ka bërë të ditur se pritet që mbrojtja të paraqesin deklaratat e tyre përmbyllëse, më 15 dhe 16 mars.

Më pas, sipas tij, më 17 mars do të pasohet me përgjigjet si dhe parashtrimet e ZPS-së lidhur me dënimin, kurse, më 18 mars do të vazhdohet me parashtrimet e mbrojtjes lidhur me dënimin dhe me deklaratat e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ndryshe, Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.