Pallaska thotë se në rastin e Veselit pati shkelje të madhe: Specialja i dha epërsi versionit kushtetues në gjuhën serbe

Avokati Dastid Pallaska, ka përmendur një shkelje të rëndë të ndodhur nga Dhomat e Specializuara, në rastin e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Ai u shpreh se kjo ndodhi meqë paneli kushtetues i Dhomave të Specializuara, i ka dhënë epërsi kushtetuese verzionit të kushtetutës në gjuhën serbe, përkundër faktit që ofron më pak të drejta, njofton Klankosova.tv.

”Në rastin e Veselit, ka ndodhur një shkelje më e madhe. Paneli kushtetues i Dhomave të Specializuara, i ka dhënë epërsi kushtetuese, versionit të kushtetutës në gjuhën serbe, përkundër faktit që ky version ofron më pak të drejta”, tha Pallaska në Klan Kosova.

Ai tutje ka sqaruar si si rrodhi ky proces:

”Janë shikuar të trija gjuhë zyrtare”.

”Kadri Veseli në kërkesën e tij kushtetuese, i ka ngritur disa pretendime për shkeljen e nenit 33 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton: se askush s’mund të akuzohet apo dënohet për një vepër penale, që s’ka qenë vepër penale në kohën e kryerjes”.

”Në versionin në gjuhën angleze, që është version burimor, parasheh që kjo dispozitë të aplikohet, në fazën e akuzimit, apo edhe në të dënimit. Pra, njëjtë e kemi edhe në gjuhën shqipe”.

”E ndërsa në versioni serbisht, sipas gjitha gjasave për arsye të ndonjë gabimi thotë që: ‘’askush nuk mund të dënohet’’, e përjashton fazën e akuzimit. Edhe me qëllim që ta shpallë të papranueshme kërkesën si të parakohshme, se po ngrihet në fazën e akuzimit, e jo në fazën kur është dënu, paneli kushtetues i DHS-së, i jep epërsi kushtetuese, versionit serbisht, duke shkelur ndër parimet bazë të interpretimit të normave kushtetuese”.