Paralajmëron Qehaja: Mund të ketë sulme tjera në veri, nëse nevojitet të dërgohet edhe FSK-ja

Prijësi i grupit terrorist serbë, Milan Radoiçiq, u lirua një ditë pas marrjes në pyetje nga autoritetet serbe.

Radoiçiq i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës, me vendimin e sotëm të autoriteteve serbe, atij iu ndalua largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ky vendim nuk ka qenë i habitshëm për ekspertin e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja.

Ai në një prononcim për Front Online tha se Serbia nuk do të ndërmarrë asgjë kundër Millan Radoiciqit.

“Sa i përket Radoiçiqit mendoj që ka qenë e pritur sepse nuk besoj që do të merret diçka ndaj tij. Atij me vendim ia kanë ndalu ardhjen në Kosovë, ajo nuk është asgjë, mirëpo hyrjen në Kosovë ata t’i shkruajnë në vendim kjo është ‘no sens’. Mirëpo kjo çështje është pritur, sepse nuk ka qenë vetëm ai organizatorë, dhe kryerës i veprave terroriste, por kuptohet se kush ka qenë pas kësaj”, tha ai.

Nga sulmi terrorist si pasojë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Gjatë këtij aksioni, Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh, e për këtë eksperti ushtarak po fajëson KFOR-in.

Qehaja për Front Online thotë se si ka qenë e mundur të hyjë armatimi brenda territorit pa e ditur KFOR-i.

“Dobësia më e madhe e sulmit është tek KFOR-i. Sepse KFOR-i thotë edhe në reklama se janë këtu për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt. Tani bëhet pyetja se si ata nuk e kanë vërejtur që armatimi ka filluar të hyjë. Ka pasur elemente nga një zonjë angleze e cila pati deklaruar se në ambientet e kishave fshihet armatimi, pse kjo nuk është vërtetuar, pse nuk është marrë për bazë kjo, dhe si ka qenë e mundur që i gjithë ai armatim të depërtonte në brendësi të territorit tonë, dhe KFOR-i të mos e marrë vesh. Kjo është dobësia edhe e organeve tona atje”, u shpreh ai.

Ramadan Qehaja: Do të tentojnë prapë për sulm, serbët luftojnë për territor jo për popull

“Nuk përjashtohet mundësia se do të ketë tentime për sulme të tjera në vend nga serbët”.

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja thotë që serbët luftojnë për territor e jo për popull.

“Pavarësisht gjykimeve tona, të ndërkombëtarëve, unë mendoj që serbët nuk do të ndalen me këtë. Ata e kanë qëllimin e zgjerimit, e marrjes së territoreve, këta e kanë këtë në gjak. Historikisht serbët vetëm kanë luftuar për territore, jo për popull”, u shpreh ai.

Si njohës i çështjeve, Qehaja kërkon nga institucionet e sigurisë të jenë vigjilentë.

“Mendoj që nuk mund të jemi të qetë, duhet të jemi shumë syqel, dhe të gjitha variantet e mundshme të diskutohen në rrethet e ngushta nga institucionet e sigurisë, në mënyrë që me qenë vigjilent dhe të mos lejojmë befasi sic ndodhi kjo”, u shpreh ai.

Qehaja: Për ta mbrojtur territorin në veri, nëse nevojitet të dërgohet edhe FSK-ja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se NATO duhet ta rivendosë kontrollin në veri të Kosovës.

Kërkesa e kryeministrit shqiptar, nuk po i pëlqen as ekspertit të çështjeve ushtarake, Ramadan Qehajës.

Ai në një prononcim për Front Online vlerëson se është ide e keqe për Kosovë.

Qehaja thotë që nëse ndodh kjo, atëherë veprohet jashtë Kushtetutës tonë.

“Atë çfarë ka deklaruar kryeministri Rama unë mendoj që aspak e mirë nuk është. Sepse KFOR-i nuk është këtu për të kontrolluar një pjesë të territorit tonë, sepse ne e kemi policinë tonë, i kemi ligjet tona. Nëse kjo ndodh atëherë automatikisht veprohet jashtë Kushtetutës tonë”, thekson ai.

Ai thotë që për ta ruajtur territorin e Kosovës, pavarësisht zotimit të Thaçit me NATO-n, nëse është e nevojshme duhet të dërgohen Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Ne atje i kemi organet e tona të rendit, kemi policinë tonë, kemi policinë speciale atje, unë mendoj që edhe FSK-në nëse ka nevojë duhet ta fusin atje, pavarësisht letrës së 2013 që e pat nënshkruar ish kryeministri Thaçi, ne duhet që në bazë të Kushtetutës të gjitha forcat e sigurisë që i kemi në vendin tonë t’i në lëvizje nëse është fjala për mbrojtjen e integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.