Pas publikimit të videos, reagon LDK: Një bisedë mes kolegësh është shndërruar në histeri dhe akuzë për sulm fizik

Grupi parlamentar i LDK-së ka reaguar pas publikimit të incizimit në medie në lidhje me situatën e djeshme në hollin e Kuvendit, ku deputeti Gazmend Gjyshinca, akuzoj kolegët e tij deputetë, Arben Gashi e Kujtim Shala se e kishin sulmuar fizikisht.

LDK-ja ka thënë se një bisedë mes kolegësh është shndërruar në histeri dhe akuza për sulm fizik.

Më poshtë e gjeni reagimin e plotë;

Nga incizimi i publikuar sot në medie, shihet qarte se dje, në hollin e Kuvendit të Kosovës, një përpjekje për bisedë mes kolegësh është shndërruar në histeri dhe akuzë për sulm fizik.

E kemi thënë edhe dje, para qytetarëve dhe para organeve kompetente se në asnjë moment, nuk ka ndodhur asgjë nga çfarë është pretenduar.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehë konsideratë për publikimin e videos së incizuar nga kamerat e Kuvendit të Kosovës, ku shihet se gjithçka që u pretendua dje, u hodh poshtë sot.

Lidhja Demokratike e Kosovës është themeltare e mendimit të lirë e rendit demokratik në Kosovë dhe e çmon lart raportimin e drejtë, të paanshëm e profesional të medieve.

Por, pas daljes në shesh të së vërtetës, shihet qartë se ende ka tendencë dhe përpjekje për ta prezantuar situatën e djeshme në favor të atyre që akuzuan dhe linçuan për motive të pastra politike.

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike