Pas vezëve, u shtrenjtuan mishi dhe qumështi

Ani pse kaluan festat e Vitit të Ri, çmimet e produkteve po vazhdojnë të rriten. Së fundi këtij trendi i janë bashkuar vezët, duhani dhe mishi.

Në marketët e vendit ka pasur raste kur një komplet vezë ka kushtuar deri në 5 euro e 15 cent. Këto ngritje të çmimeve Ministria e Tregtisë thotë se po i inspektojnë.

“Inspektorati i Tregut gjatë muajve të fundit ka shtuar numrin e inspektimeve për mbrojtjen e konsumatorit, në veçanti për mbikëqyrjen e etiketës që tregon flamurin e origjinës së produktit. Këto inspektime kanë vazhduar edhe ditëve të festave zyrtare në Republikën e Kosovës. Në çdo rast janë duke u ndërmarr veprime në pajtim me legjislacionin në fuqi (gjoba dhe urdhëresë të menjëhershme për eliminim të parregullsive)”, kanë thënë nga Ministria e Tregtisë.

Por qytetarët po përballen me çmime marramendëse.

“Jam dëshmitar nëpër të gjitha marketët ka ngritje të çmimeve, tash është koha e ftohtë dhe mungesa e vezëve nëpër ekonomitë familjare por edhe në ekonomi më të mëdha familjare ka konsumim më tepër prandaj ndoshta janë ngritë edhe çmimet”, ka deklaruar Adem Ramadani, qytetar.

“Me aftësinë blerëse nëse ke ble dy litra vaj, tash ke me ble një litër vaj, rrjedhimisht që d.m.th tryeza jonë po varfërohet”, ka thënë Mirand Zeneli – Qytetar.

Ka qytetar që këtë situatë po e konsiderojnë turp për pushtetarët.

“Njerëzit kanë jetuar e mbijetuar por tash për momentin është një turp çka po ndodhë tash, sa është e përballueshme, çka duhet me bo një qytetar i papunë, të dal në rrugë”, ka Sabri Kadriu, qytetar.

Por, ekonomistët nuk po i konsiderojnë si reale këto rritje të çmimeve por vlerësojnë se tregtarët shfrytëzuan ardhjen e diasporës për ndryshimin e çmimeve.

“Nuk mund të jetë arsye gjithmonë për ngritje të çmimeve lufta në Ukrainë dhe në këtë drejtim besoj që është koha të kemi më shumë monitorim, kush I ndan e mban subvencionet për tregtar, kush I monitoron ata? Në të njëjtën koha autoriteti i konkurrencës duhet të jetë më aktiv e të veproj karshi kësaj”, ka thënë Safet Gërxhaliu, ekonomist.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 vendi kishte normë mesatare të inflacionit për 12 për qind, kurse Banka Qendrore parasheh që inflacioni të pësoj rënie në 2023-n./Dukagjini