Pasi IPK e rekomandoi suspendimin e Nenad Gjuriqit, reagon Sveçla: Refuzimi i vendimeve cenim i stabilitetit

Pas suspendimit të drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se refuzimi i zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës është mbi të gjitha cenim i rëndë i sigurisë dhe stabilitetit të vendit.

“Në kuptim të këtyre veprimeve të përsëritshme, pas kërkesës së Inspektoratit Policor të Kosovës dhe inicimin e hetimeve penale, është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicën e veriut, Nenad Gjuriq.”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cënon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij.”, ka shtuar Sveçla.