Pasi voton në Referendum, Vuçiq ‘kërcënon’: Veprimi i Kosovës do të ketë pasoja të medha

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka votuar sot në referendumin e organizuar nga Serbia për ndryshimet kushtetuese në fushën e gjyqësorit.

Pas votimit, Vuçiq ka folur për media edhe për vendimin e Kosovës për të mos lejuar organizimin e referendumit serb në Kosovë.

Ai ka thënë se serbët e Kosovës treguan se vota e tyre paraqet votë për Serbinë dhe jo për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Tutje, ai ka paralajmëruar “pasoja të mëdha” për Kosovën pas vendimit për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi në Kosovë.

Vuçiq nuk ka kursyer kritikat edhe ndaj SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, për të cilat kanë thënë se nuk kanë arritur të bindin Qeverinë e Kosovës që të lejojë mbajtjen e këtij referendumi në Kosovë.

“Nga to nuk mund të dëgjohen kritika apo sanksione ndaj Prishtinës për ndalimin e votimit në referendum”, ka deklaruar Vuçiq, raporton N1, transmeton lajmi.net.

Kujtojmë se dje deputetët e Kuvendit të Kosovës me 76 vota pro miratuan rezolutën që shpreh kundërshtimin që një shtet i huaj të organizojë referendum në Kosovë.

Sipas institucioneve të Kosovës, organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë, do të ishte kundër rendit Kushtetues të Kosovës.