PDK-ja kërkon të shpallet gjendje emergjente për energjinë

Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës lidhur me krizën energjetike në vend.

Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Blerand Stavileci, në konferencë për media, i ka bërë thirrje qeverisë që të angazhohet për aprovimin e masave të paraqitura, në formën e pakos emergjente.

“PDK i bënë thirrje qeverisë të tregohet e përgjegjshme dhe të angazhohet për aprovimin e këtyre masave si pako emergjente ndaj situatës që të përballohet sezoni i dimrit dhe të evitohet shoku tarifor para prillit të vitit të ardhshëm kur aprovohet tarifa vjetore. PDK propozon që menjëherë të merren këto masa: Të shpallet gjendje emergjente e furnizimit me energji, sipas Ligjit për Energji, neni 25; Të vendoset çmimi tavan për tregun e brendshëm dhe devijimet nga ky çmim të subvencionohen nga qeveria; T’i kthejë në konsumatorë të rregulluar të gjithë ata të cilët janë në tregun e lirë, me qëllim që të bëhet socializimi i kostos së tyre të importit të energjisë për periudhën sa kjo krizë do të jetë prezente; T’i hiqet tantiema në qymyr KEK-ut dhe proporcionalisht të ulet çmimi i shitjës së kësaj Korporate me qëllim që ky përfitim të bartet tek konsumatori final; Të trajtohet me prioritet debllokimi i linjave të transmetimit me Serbinë (të cilat janë bllokuar nga dhjetori i vitit të kaluar) në mënyrë që të evitohen kostot e larta të transmisionit, si dhe të lehtësohet tregtimi me energji”.

Stavileci ka thënë se Qeveria e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për tu përballur me krizën e energjisë elektrike. Ai tha se një situatë të tillë e kishin paralajmëruar më herët, por se qeveria “as sot e kësaj dite nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim”.

“Qeveria është treguar neglizhente dhe nuk ka marrë ndonjë masë për ta adresuar këtë krizë. Paralajmërimi ynë që kjo krizë e kërcënon seriozisht furnizimin e rregullt dhe me çmime të përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare, doli realitet. Qeveria jo që nuk ka bërë veprim konkret, por e ka neglizhuar aq shumë situatën sa çdo ditë po shohim duke kolapsuar një pjesë e sistemit, siç ndodhi sot me ngrohtoren e Kosovës”, ka thënë ai.