PDK, LDK e AAK kundër organizimit të referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës

Tri partitë opozitare në Kosovë kanë dalë ֝kundër çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës.

Derisa po zhvillohet takimi ndërmjet përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, kryetari i PDK-së dhe ai i LDK-së kanë deklaruar se janë kundër referendumit të Serbisë në Kosovë.

Po ashtu, nga AAK-ja përmes një komunikate për medie, kanë dalë kundër këtij referendumi.

Sipas PDK-së, organizimi i referendumit për ndryshimet kushtetuese të Serbisë në territorin e vendit tonë do të ishte shkelje e sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Kurse LDK-ja po ashtu ka të njëjtin qëndrim, duke thënë se Kushtetuta dhe Ligjet në fuqi janë të qarta në këtë drejtim.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë për Telegrafin se mbajtja e këtij referendumi do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Sipas Krasniqit, “Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar kundër referendumit për ndryshimet kushtetuese të Serbisë në Kosovë.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se LDK është kundër çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfardo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, shkruan ai.

Edhe nga AAK-ja përmes një deklarate për medie kanë kundërshtuar këtë referendum.

“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Tutje, ata shtojnë se “Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”.

Në anën tjetër, ka filluar të mbahet takimi ndërmjet përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Temë e diskutimit do të jetë lejimi i organizimit të referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Presioni në lidhje me lejimin për organizim të këtij referendumi është rritur sidomos sot kur shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lejoj OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës siç ishte praktikuar më herët në procese zgjedhore.

Nga Qeveria kanë thënë gjatë të premtes se “serbët në Kosovë që kanë dyshtetësi mund të jenë pjesëmarrës në këtë referendum nëpërmjet votimin me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë”.