PDK s’mbështet formimin e qeverisë nga LDK-ja, koalicioni LAN do të varet nga votat e Listës Serbe

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se është e gatshme të formojë qeverinë, në rast se një gjë të tillë i kërkon presidenti Hashim Thaçi.

LDK ka shprehur vullnetin për një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe Alenancën Kosova e Re, si dhe me komunitetet.

Mirëpo në rast se kjo ndodhë, mundësia që Qeveria e re nën udhëheqjen e këtij koalicioni të votohet në Kuvend mund të jetë e vogël, kjo për faktin se ky koalicion nuk i ka 61 votat e domosdoshme për votim në Kuvendin e Kosovës, pa votat e Listës Serbe që janë 10 plotësisht.

LDK aktualisht ka 28 deputetë, AAK ka 13 deputetë, NISMA+AKR kanë 6 deputetë, kurse minoritetet joserbe 9 deputetë, ndërsa Lista Serbe i ka 10 deputetë.

E mbështetje këtij koalicioni për formim të mundshëm të Qeverisë, nuk do t’i japë Partia Demokratike e Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj partie , Avni Bytyçi ka thënë për Telegrafin se PDK nuk do ta mbështes as LDK-në e asnjë parti tjetër.

“PDK nuk do ta mbështesë LDK-në, e asnjë parti tjetër për formimin e qeverisë”, ka deklaruar Bytyçi.

“Shpresa” e vetme që LDK t’i sigurojë votat e duhura për formim të Qeverisë mbetet tek Lista Serbe, e cila nuk dihet nëse do ta mbështes apo jo një gjë të tillë.

LDK në të kaluarën ka qenë kundër koalicionit me Listën Serbe duke thënë se asnjë qeveri nuk do të jetë stabile, kur varet nga deputetët e Listës Serbe.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, e formuar nga koalicioni në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, u votua në kuvend më 3 shkurt. Por, ende pa i mbushur dy muaj, ky koalicion u prish, ku u pasua me mocionin e mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike te Kosovës dhe të votuar edhe nga opozita, më 25 mars 2020.

Që nga 25 marsi Kosova vazhdon të udhëhiqet nga një qeveri në detyrë