Peci e liron nga detyra këshilltarin e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka liruar nga detyra e këshilltarit tashmë të arrestuarin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Hysen Muzliukajn.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar shefja e kabinetit të Pecit, Flutur Mustafa.

“Ministri Faton Peci, deri sa drejtësia ta thotë fjalën e fundi, Muzliukajn e ka liruar nga detyra”, tha Mustafa, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se përveç Muzliukajt, policia e ka arrestuar edhe ish-nënkryetarin e komunës së Mitrovicës nga radhët e VV-së, Faruk Mujka, për të njëjtën vepër penale.

“Po ashtu, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve F.M dhe H.M. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, transmeton Klankosova.tv.

Bëhet e ditur se me aktvendim të prokurorisë, Mujka dhe Muzliukaj janë dërguar në mbajtje për 48 orë.