Për ditën tuaj dhe timen

Shkruan: Burim Gjaka

“Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij“. (Henry Adams).

 

Po e filloj këtë shkrim me këtë thënie mjaftë me vlerë, e cila në fokusin e saj kërkon respektin, konsideratën dhe mbështetjen e përherëshme për mësimdhënësit dhe jo vetëm në ditë të veçanta, sa për simbolikë. Prandaj vlerësimi im për mësimdhënësit nis
kohë dhe vite më parë, kur jeta dhe vdekja ndaheshin për fijen e perit, kur  mbijetesa bëhej çdo ditë e më e vështirë. Atëherë të vetmit që rezistuan duke mbajtur gjallë shpresën se këtu ja vlenë dhe duhet të jetohet,  ishin ata mësimdhënës të dashur, të cilët me punën e tyre  duke rrezikuar jetën dhe familjet e tyre nuk u dorëzuan, por përkundrazi ngjallën shpresat se një ditë edhe këtu do të bëhet mirë. U rrahën, u maltretuan, u burgosën, e bile edhe u vranë por kurr nuk u dorëzuan.

Shkollat tona ishin në gjendje të mjerueshme, ku më shumë mësohej në shtëpi private, lokale e kthina pa nxemje dhe as ulëse sesa në shkolla, por kurr nuk humbi ndjenja dhe dashuria për vendin. Nuk kishte libra, nuk kishte mjete konkretizimi, nuk kishte paga, e nuk kishte as master e doktorr shkencash, por nga ajo sakrificë dhe punë dolën kuadro të jashtëzakonshme si policë, mjekë, mësues, gjyqtarë e prokurorë të shkëlqyeshëm. Mbi të gjitha ishte motivi i tyre për ta luftuar armikun përmes shkollës prandaj edhe suksesi, atdhedashuria dhe profesionalizmi nuk munguan.

Atë kohë mësues bëheshin ata të cilët e duanin atë profesion duke shikuar edhe si rruga e vetme për t’ju kundërvën armikut, ata mësimdhënës kontribuan shumë edhe në organizimin e luftës çlirimtare, prandaj meritojnë respekt dhe falendërim deri në piadestal.Sot gjërat kanë ndryshuar, kemi kushte shumë më të mira në të gjitha aspektet, por po na mungon motivi dhe cilësia. Respekti ka rënë në minimum e poashtu edhe imazhi për shkollën ka ndryshuar për keq, e që fatkeqësisht përveq tjerëve edhe ne jemi përbërës komponent i krijimit të këtij imazhi dhe kësaj gjendje.

Fatkeqsisht sot nuk vlerësohet puna dhe performanca në punë, por servilizmi, fokusi politik dhe kozmetika. Të mendosh të ecësh suksesshëm me këtë qasje është e vështirë, e aq më pak kur shohim qasjen ndaj ngritjes së cilësisë nga institucionet relevante prej së larti- poshtë. Jemi këtu ku jemi dhe nuk duhet të jemi të kënaqur me atë që po shohim. Duhet angazhim, vetkritikë dhe reflektim i të gjithëve për ta ndryshuar këtë gjendje konform kompetencave dhe përgjegjësisë që kemi sepse tjetër rrugë nuk ka.
Duke u lutur për shëndetin e të gjithë mësimdhënësve, sidomos atyre që vuajnë nga ndonjë sëmundje dhe detyrohen të punojnë edhe pse nuk munden dhe duke shpresuar se vitin tjetër do të bindemi se kemi filluar të dalim nga terri i dijes që jemi futur,  faleminderit shumë secilit që profesionin e mësuesit e kupton dhe trajton si të shenjtë dhe nuk kursen asgjë që shkolla ku punon të ngritet në piadestal.

Urime 7 Marsi mësimdhënës të dashur dhe gëzofshim edhe shumë festa të tilla me shëndet dhe suksese!