Përkujtohen dëshmorët: Enver Tahiri, Januz Jashari, Avni Klinaku dhe Mehdi Fazliu (Foto)

Me rastin e 20 vjetorit nga rënia e dëshmorëve: Enver Tahiri, Januz Jashari, Avni (H) Klinaku dhe Mehdi Fazliu, sot janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Stanoc të Epërm të Komunës së Vushtrrisë nga përfaqësues të Komunës së Vushtrrisë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, bashkëluftëtarë, qytetarë dhe familjarë, raporton Fokusi.info.

Me këtë rast, u mbajt edhe Akademi përkujtimore në Vushtrri për t’i nderuar dëshmorët.

Lufta për liri është lufta më madhështore e një populli të robëruar. Ishin idealet e larta të luftës për çlirim, ishte vet robëria e popullit shqiptar, ajo që lindi, rriti e kaliti djemtë dhe vajzat. Të tillë ishin edhe dëshmorët që po përkujtojmë sot. Ata kishin dhënë betimin se do të luftonin, duke mos kursyer as jetën e tyre, në luftën për çlirim e bashkim, u tha në këtë akademi përkujtimore.

Fjalë rasti mbajtën: Besim Muzaqi, nënkryetar i Komunës së Vushtrrisë, Aziz Bici, ish – komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, historiani Safet Hasani, bashkëluftëtar i dëshmorëve, Gëzim Zuqaku, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve – dega në Vushtrri.

Këngëtarët: Nysret Haxha dhe Besim Haliti kënduan këngë për dëshmorët: Avni Klinaku, Januz Jashari dhe Enver Tahiri. Kurse, të pranishmit i përshëndeti mbesa e dëshmorit Mehdi Fazliu, e cila është vajza e dëshmorit Asllan Fazliu.

Dëshmorët: Enver Tahiri, Januz Jashari, Avni (H) Klinaku ishin ushtarë të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës të UÇK-së. Kurse, dëshmori Mehdi Fazliu ishte ushtar i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” të Zonës Operative të Drenicës.

Ata ranë së bashku gjatë luftimeve në malet e Çyçavicës, në krye të detyrës, në mbrojtje të popullatës civile më 18 prill 1999.

Enver Tahiri, Januz Jashari, Avni Klinaku dhe Mehdi Fazliu
Besim Muzaqi

 

Aziz Bici
Faton Klinaku
Gezim Zuqaku
Safet Hasani
Mbesa e Mehdi Fazliut
Nysret Haxha
Besim Haliti