Përveç 20 të infektuarve në Prishtinë, konfirmohen edhe shtatë raste tjera me koronavirus në Kosovë

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina do të futet në karantinë.

Kjo pasi që siç ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë, sot janë konfirmuar 20 raste të reja me koronavirus në kryeqytet.

Mirëpo, në njoftimin e ministrisë, bëhet e ditur se përveç Prishtinës, janë edhe shtatë raste të reja me koronavirus në komunat tjera të Kosovës.

“Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ministria e Shëndetësisë.

Ndërkaq, ministria po ashtu ka bërë të ditur se më vonë do të njoftohemi edhe me numrin total të të testuarve pozitiv sot me koronavirus në Kosovë.