Petkoviq merr pjesë në takimin Kurti-Vuçiq: Do të insistojmë në formimin e Asociacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e nesërm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel do të insistojë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha sot drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Pa formimin e Asociacionit, pa të drejtat kolektive që serbët në Kosovë duhet t’i marrin, nuk mund të flasim për ndonjë normalizim të marrëdhënieve”, u tha ai gazetarëve në Beograd.

Petkoviq, i cili do të jetë në Bruksel nesër si anëtar i delegacionit të Beogradit tha se do të insistojnë në çështje të tjera të rëndësishme në Bruksel, përfshirë çështjen e të zhdukurve.