Petkoviq: Shpërbërja e ekipit menaxhues çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe dialogut

Drejtori I të ashtuquajturës Zyra për Kosovë, Petar Petkoviq, theksoi se vendimi për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues, i cili hartoi Statutin e Asociacionit dhe e prezantoi dje në Bruksel, është i njëanshëm dhe i paligjshëm dhe se shkarkimi i ekipit çon në shfuqizimin e Asociacionit.

Siç thuhet në deklaratën e Petkoviqit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrat në qeverinë e tij nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e Draft Statutit të Asociacionit, por ekipi drejtues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në themelimin e tij”, tha. Petkoviq.

Ai shtoi se është e qartë se Kurti me një vendim skandaloz e ndërpreu procesin e formimit të Asociacionit vetëm dhjetë orë pasi përfundimisht ishte inicuar zyrtarisht në dialog pas 10 vitesh.

“Tani mendoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin dhe se dëshiron ta shmangë këtë obligim në çdo mënyrë”, ka theksuar Petkoviq.

Ai i bëri thirrje BE-së që “të ndalojë menjëherë paligjshmërinë e Kurtit”.

“Me këto lëvizje të sforcuara Kurti tregon pa mëdyshje se nuk dëshiron as paqe e as dialog. Paligjshmëria e Albin Kurtit duhet të ndalet urgjentisht nga BE-ja, sepse shkarkimi i Ekipit Menaxhues çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe rrjedhimisht edhe ndaljen e procesit të dialogut”, ka përfunduar Petkoviq.

Ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Albert Krasniqi, ka njoftuar sot se ka shkarkuar Ekipin Menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe./