Pjetër Shala deklarohet i pafajshëm para gjykatësve të Speciales

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala është deklaruar i pafajshëm në seancën që aktualisht po mbahet në Gjykatën Speciale.

Në seancën e parë njoftuese që ka të bëjë po ashtu me ecurinë e çështjes, Shala është pyetur nga gjykatësi nëse ka diskutuar me avokatin e tij aktakuzën dhe nëse mund të deklarohet rreth tyre sot.

Shala pa hezituar është ngritur në këmbë dhe është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

“Zotëri gjykatës, unë nuk e ndiej vetën që kam bërë krim, unë vetëm kam mbrojtur atdheun dhe popullin tim, ndihem plotësisht i pafajshëm”, tha Shala.

Ai i quajti qesharake akuzat ndaj tij dhe tha se më tutje me to do të merret avokati i tij, e gjithashtu ka qenë kritik ndaj arrestimit të tij.

“Nuk ka pasur nevojë të bëhet arrestimi e kyfarë filmi. Vetëm një ftesë dhe unë vij paraqitem vetë”, ka thënë ai, duke treguar se kjo nuk është vizita e tij e parë në atë objekt.

Shala akuzohet për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor e vrasje të paligjshme.