Pjetër Shala i reagon Speciales: Kjo gjykatë nuk është për të bërë skenarë të filmave

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Zijadin Hoxha nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka reaguar i akuzuari Pjetër Shala. Ai tha se Gjykata Speciale është me renome botërore dhe jo që të bëhen aty skenarë të filmave.

“… Nuk është duke ba skenar filmi. E kthen tri herë. Dëshmitari i tha për mua: është i panjohur nuk e njoh. Dje ka thanë, ka qenë në formë private, nuk kam pas akces atje që i ka pas çelësat pronari i shtëpisë, prapë të njëjtën gja e qet, jo kmisha jo… Skenare për skripta të filmave vizatimor me kanë tu bo. Kjo është një gjykatë me renome botërore, nuk është këtu skenar filmash me ba. Kaq pata, ju falënderoj”, tha Shala.

Lidhur më këtë, gjë reagoi edhe kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia e cila ia tërhoqi vërejtjen Pjetër Shalës që të ketë kujdes.

“Zotëri Shala, kjo që thoni ju nuk qëndron hiç, kështu që ju lutem keni kujdes kur e thoni në këtë mënyrën siç e thatë ju. Neve, trupi gjykues e vlerëson këtë relevante që këto pyetje të bëhen, kështu që nëse neve na duhen si relevante dhe të rëndësishme këto pyetje, vazhdojmë në këtë mënyrë”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deklarata e Pjetër Shalës erdhi pasi prokurori Cezary Michalczuck pyeti disa herë dëshmitarin lidhur me disa ambiente në uzinën e metalit në Kukës për të cilën tha se nuk i kujtohet.

Dëshmitarit Hoxha iu prezantuan edhe disa fotografi ku shihej edhe një këmishë e varur për të cilën prokurori pyeti atë nëse ka kaluar në derën që shihej në atë fotografi.

“Për mua për vitin 1999 ky ambient është faktikisht i panjohur, nuk kam kalu asnjëherë kësajde”, tha dëshmitari Hoxha, duke u përgjigjur për të disatën herë në pyetjet e prokurorit lidhur me këto pamje.

Hoxha tha se të plagosurit nga beteja në Goruzhup i kanë intervistuar shokët e tij.

Dëshmitari tha se më këtë çështje është merr Ismet Thaçi dhe Latif Zejnullahu dhe se këtë gjë sipas tij e kanë bërë për të mbetur si dëshmi dhe jo për ndonjë qëllim tjetër.

“Kemi shku me i marrë në pyetje, me mbetë si dokumentacion dhe jo për diçka tjetër”, tha Hoxha.

Ai tha se intervistimin e këtyre ushtarëve të plagosu i kanë bërë në spitalin e Kukësit ku edhe kishin shkuar që të marrin trajtim. Hoxha thotë se ai është marrur vetëm me xhirimin.

Lidhur me Spitalin e Kukësit, prokurori Cezary Michalczuk i përmendi dëshmitarit një deklaratë që ky i fundit e kishte dhënë kohë më parë për ZPS-në

“Po po, ishte spitali i qytetit e kishin të gjithë personelin mjekësor. Nuk i ishin të gjitha pajisjet që i nevojiten se Shqipëria në atë kohë ishte në situatë të vështirë. A e konfirmoni se në atë kohë ka pas kirurg?”, citoi prokurori fjalët që sipas tij i kishte thënë dëshmitari në deklaratën për ZPS-në. Ndërsa, dëshmitari tha se e konfirmon një gjë të tillë.

“Me siguri që e konfirmoj se ata të plagosurit që kanë qenë të plagosur prej arme dikush ka pas me i operu, përveç kirurgut ata nuk i operon kërkush”, tha dëshmitari Hoxha.

Megjithatë, lidhur me punën e tij për riparimin e armëve, dëshmitari tha se çdo armë e ka provuar vetë para se t’ua jep ushtarëve.

“Çdo armë që e riparoi me e provu unë a o në gjendje të rregullt a jo pastaj me ja dhanë ushtarit. E kemi pas një depo në uzinë dhe çelësat i kam pas vetëm unë e i kemi deponu aty”, tha dëshmitari Hoxha.

Dëshmitari Hoxha është pyetur edhe për largësinë që ka pasur uzina e metalit në Kukës me vendbanimin e Cahanit.

“Faktikisht prej Kukësi deri në Krumë, prej Krume deri në Cahan 3 orë, 2 orë e gjysmë diku i bojshim. Nuk e di saktësisht”, tha dëshmitari.

Ai tha se rruga për në Cahan ishte rrugë malore dhe nuk mund të shkohej me vetura të vogla.

“Ka qenë rrugë malore, nuk ka qenë as e shtrume as kurrgjë hiq. Aty ose është dashtë me pas foristradë ose me traktor me depertu lartë se ndryshe shansë nuk ke pas. Po ka qenë shumë e ngushtë, dy vetura me u taku nga ana e kundërt, nuk kanë mujtë me e tejkalu njona-tjetrën. Ka qenë veç ni vend që ka mujtë me u skaju njona veturë me ja lshu rrugën tjetrës së përndryshe ka qenë shumë e ngushtë. Grui komplet ka qenë”, tha Hoxha.

Hoxha tha se në Cahan ka shkuar 4-5 herë gjatë periudhës sa ka qenë si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 1999.

Ai tha se nuk ka qëndruar atje për ta kaluar natën, mirëpo zakonisht ka qëndruar 3-4 orë dhe është kthyer mbrapa.

“Zakonisht 3-4 orë dhe jam kthy mbrapa. Vetëm s’kam qenë asnjëherë, gjithmonë e kam pas një shofer me vete. Unë për vete nuk kam pas guxim me vozitë në atë rrugë. Unë voziti qe 30 vite, po nuk kam pas guxim të voziti në atë rrugë. Nuk ka ndodhë asnjëherë (me fejtë në Cahan)”, tha dëshmitari Hoxha.

Për riparim të armëve, dëshmitari th ase ka shkuar vetëm në Kukës, Cahan dhe Krumë ndërsa as për arsyeje të tjera nuk ka shkuar në vende të tjera përveç në fshatrat përreth të Kukësit.

Ndryshe, fotografitë dhe videot të cilat iu prezantuan dëshmitarit nga mbrojtja e Pjetër Shalës u pranuan si prova materiale.