Pjetër Shala kërkon konsultim me avokatin e tij, refuzohet nga trupi gjykues

Gjatë dëshmisë së Zijadin Hoxhës, i akuzuari Pjetër Shala ka kërkuar një pauzë që të konsultohet me avokatin e tij mbrojtës.

“Kam një sqarim të shkurt me avokatin në qoftë së është mundësia një pauzë të shkurtë, një pyetje e bënë avokati, një bashkë konsultim”, tha Shala.

Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia refuzoi kërkesë e Shalës, duke thënë se këtë gjë mund ta bëjë gjatë pushimit të drekës.

“Po e shënojmë dhe do të kemi pushim në orën 11:00 do të kemi pushimin e drekës dhe do të iu jepen mundësia që të konsultoheni me avokatin tuaj”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Por i akuzuari Shala insistoi në kërkesën e tij, duke thënë se ka atë bëjë me lëndën që është propozuar për momentin dhe kërkoi që të sqarohet një vizatim i cili tashmë ishte i paraqitur.

“E nderuara gjyqtare bëhet fjalë vetëm për lëndën se është e propozume tani për momentin që është në vizatim deshta të ia bëjë një pyetje avokatit dhe avokati i bënë”, tha i akuzuari Pjetër Shala.

Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues tha e nuk është momenti i duhur që të ndërpritet procesi.

“E kuptoj z.Shala tani nuk është momenti i duhur që të ndërpresim procesin që ju të konsultoheni me avokatin, ne do të vazhdojmë me pyetjet e prokurorit he avokatet tuaj do të konsultohen me juve dhe nëse është diçka për t’u qartësuar do të bëhet më vonë”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Pas kësaj, prokurori u kthye tek çështja ku dëshmitari kishte deklaruar se i janë prezantuar disa fotografi që më herët nuk i kishte parë.

Prokurori prezantoi një video që sipas tij tregohej se këto dy fotografi iu ishte prezantuar dëshmitarit gjatë intervistës së tij me ZPS-në me 2020.

Mirëpo, dëshmitari sërish insistoi se nuk iu kujtohet që i kishte parë këto fotografi.

Ndërsa, për ndërtesën e bardhë e cila pretendohet se ka qenë në uzinën e metalit në Kukës dëshmitari tha se qëndrimi i tij është që nuk e ka pa.

“Qëndrimi im është që nuk e kam pa. Nuk kam pas kohë me u marrë me tjera objekte, me e kqyr ku janë e tek janë”, tha dëshmitari Hoxha.

Deklarata kontradiktore, dëshmitari Hoxha thotë se në intervistën e 2020-ës në ZPS ka qenë i papërgatitur

(Përditësuar, ora 11:10)-Pas kalimit të seancës në sesion publik, dëshmitari Zijadin Hoxha po e vazhdon dëshminë e tij në çështjen gjyqësorë ndaj Pjetër Shalës.

Prokurori Cezary Michahlczuck e ballafaqoi dëshmitarin Zijadin Hoxha me disa deklarata të vitit 2020 të cilat ishin kontradiktore me ato të cilat ai po i thotë ditëve të fundit në seancë gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë ndryshime të deklaratave, Hoxha thotë se në intervistën që ka dhënë për ZPS-në në vitin 2020 ka qenë në gjendje të papërgatitur.

“Vetëm një, po harroni që faktikisht këtë intervistë e kam dhënë 20 vjetë pas luftës. E dyta; Nuk kam qenë i përgatitur me dhënë këtë intervistë se nuk i kam mëndu këto sene që kanë me mu nevojite kurrë në jetën time dhe faktikisht kur e kam dhënë këtë intervistë mundem me gabu. Tash e dy vite që më keni marrë në pyetje faktikisht kam pas kohë me mëndu, kompletë skenën faktikisht qysh ka qenë tek ka qenë sa mu ka kujtu . Kur me keni marrë s’pari herë në pyetje atëherë ka pas mundësi me qenë i papërgatitur. Mundet me ndodhë që kam thënë vetëm një kamion dhe them se kanë qenë tre ose katër”, tha dëshmitari Hoxha.

Në këtë intervistë të dhënë për ZPS-në, dëshmitari kishte thënë se në uzinë ndodhej vetëm një kamion i prishur ndërsa, kohëve të fundit thotë se kanë qenë më shumë.

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës po vazhdon në seancë private

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës.

Me kërkesën e kryetares së trupit gjykues, Mappie Veld-Foglia seanca kaloi në sesion privat.

Kryetarja e trupit gjykues tha se në seancë private do të diskutoj lidhur me një çështje.

Ndryshe, gjatë kësaj seance pritet që të vazhdojë dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha, dëshmia e të cilit ka filluar ditën e hënë me 20 nëntor.

Këtë dëshmitar parashihet që ta marrë në pyetje përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa, mbrojtja e Pjetër Shalës ka paraparë maksimumi 2-3 pyetje për këtë dëshmitar.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.