Hoti për deklaratat e Kurtit e VV-së për gjakderdhje: Fatkeqësisht ende mbijetojnë politikanë të tillë

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrin në detyrë ku përmendte “gjakderdhjen” lidhur me situatën në veri.

Hoti ka shprehur keqardhje lidhur me këto deklarata, duke thënë se Kosova e ka kaluar një gjakderdhje dhe se më nuk do të ketë asnjë të tillë.

“Për fat të mirë, populli i Kosovës e ka kaluar kohën e gjakderdhjes. Nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër. Por, për fat të keq ende mbijetojnë politikanë në Kosovës që në projektet e tyre të garës politike zë vend termi “gjakderdhje” në kuadër të përpjekjeve për arritje të qëllimeve të tyre politike”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Reagimi i Hotit erdhi pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me situatën e krijuar në veri të territorit të Republikës së Kosovës.

“Ata duan të provokojnë tensione sepse ata duan incidente. Sepse projekti i tyre për shkëmbim territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konlifkte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi e ndarja e Kosovës” , ishte deklarata e Kurtit.