Policia heton dëmtimin e materialit ndërtimor për laurën në Grykë të Rugovës

0
287

Në vendin ku kanë filluar para tri ditësh punimet për ndërtimin e laurës, në kilometrin e tretë në Grykë të Rugovës nga punëkryerësi i angazhuar prej Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), punimet janë ndërprerë jo vetëm nga protesta e rugovasve të revoltuar, që të premten e kanë kundërshtuar ndërtimin e asaj laure, por edhe për shkak të dëmtimit të materialit ndërtimor dhe punimeve të para që janë kryer në atë lokacion, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për këto dëme të shkaktuara nga persona ende të paidentifikuar, punëkryerësi e ka paraqitur rastin të premten pasdite në Stacionin Policor të Pejës.

“Nuk kemi bërë ende një vlerësim të saktë të dëmit, por dëmi është midis 3 deri në 5 mijë euro. Se përveç materialit ndërtimor që ka qenë aty, siç ishin bllokat për murim dhe thasët me çimento e ngjitës, është dëmtuar edhe pllaka e betonit që ishte shtruar. Prandaj, edhe e kemi paraqitur rastin në polici dhe presim nga organet t’i zbulojnë autorët”, thotë Bekim Dajaku, pronar i kompanisë punëkryerëse, “B.D. Trade Sh.P.K.”.