Policia jep detaje për aksidentin ku vdiq ushtari i KFOR-it

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin e traikut që rezultoi me vdekjen e ushtarit të KFOR-it.

“Në rrugën Pejë-Prishtinë ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet në të cilin kanë qenë të përfshira dy automjete”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

Policia po ashtu ka informuar që ka tre të lënduar nga ky aksidentm përfshirë edhe një shtetase të huaj, teksa i dyshuari për shkaktimin e aksidentit është arrestuar pasi ka marrë tretmanin mjekësor.

“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre persona një mashkull dhe një femër shtetas te hua, si dhe një mashkull kosovar”.

“Të lënduarit jane dërguar per tretman mjekësor dhe më pas është konfirmuar se i lënduari mashkull-shtetas I huaj ka ndërruar jetë”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore. I dyshuari për shkaktim te aksidentit ka pranuar ndihme mjekësore, dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit për 48 ore nga prokurori kujdestar”.

Mbrëmë, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar se viktima e aksidentit në rrugën Prishtinë – Pejë është një ushtar italian.

Sipas KFOR-it, fillimisht ushtari në gjendje të rëndë u transportua me helikopter drejt Spitalit Amerikan në Prishtinë, ndërsa rreth orës 16:50 i njëjti ka ndërruar jetë.

“Në makinën e përfshirë në aksident ndodhej edhe një ushtar tjetër, i cili me ambulancë u transportua në spital me një gjendje më të qëndrueshme në “Cam Villago Italia” dhe më pas u dërgua në spitalin ushtarak në Camp Film City për kontrolle të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me aksidentin tragjik, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta. Mendimet e mia janë me familjen dhe miqtë e ushtarit që ndërroi jetë në këto rrethana tragjike. I urojmë dhe shpresojmë tjetrit një shërim të shpejtë”, thuhet tutje në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.

Bëhet e ditur se Policia Ushtarake Ndërkombëtare në bashkëpunim me autoritetet vendeore dhe ndërkombëtare po e hetojnë shkakun e aksidentit.