Policia në Guineas përdor një grua si mburojë gjatë protestës

Një qytetar i shqetësuar e ka incizuar policinë në Conakry të Guinesë duke e përdorur një grua si mburojë njerëzore për t’u mbrojtur nga sulmuesit.

Në pamjet e publikuara në internet shihet se si një polic e mban një grua para vetes dhe e shtynë me forcë para tij së bashku me disa policë të tjerë. Policia ishte duke u përballur me disa të rinj, të cilët po protestonin kundër mandatit të tretë të presidentit Alpha Conde.

Tre policë shihen duke e shtyrë për disa metra me qëllim që ta mbrojnë veten nga sulmet me gurë të protestuesve të rinj. Në fund, një polic qëllon me armë dhe tërhiqet bashkë me kolegët dhe duke e tërhequr zvarrë gruan, shkruan “France24”.

“Pasi e tërhoqën me forcë për disa metra, policët e lanë gruan të shtrirë në tokë dhe u larguan në drejtim të rrugës kryesore të lagjes. E sollëm atë në shtëpi dhe ishte tepër e frikësuar. Rrobat i kishte të mbuluara me baltë, prandaj nëna ime ia dha disa rroba të reja”, tha një dëshmitar.

Njëri nga policët u arsyetua se kjo grua i kishte furnizuar me gurë protestuesit, prandaj është ndaluar nga policia./Gazeta Sinjali/