Policit Amir Hoxha i vazhdohet suspendimi për afat të pacaktuar

Amir Hoxhës, zyrtarit policor i cili u suspendua për një status në Facebook, i është vazhduar suspendimi nga puna për një afat të pacaktuar kohor.

Këtë e ka konfirmuar avokati i Hoxhës, Gent Gjini.

“Fillimisht suspendimi ka qenë tri ditë, tash klienti është njoftuar përmes një emaili se është marrë vendim që suspendimi të jetë për një kohë të pacaktuar. Kjo është edhe më keq, sepse është supsenduar mbi bazën e një postimi në Facebook”, ka thënë Gjini për lajmi.net

Kujtojmë se suspendimi i zyrtarit policor, Amir Hoxha, ka ardhur pas një postimi në Facebook ku kishte kritikuar shpenzimet e deputetëve për karburante, ndërsa kishte thënë se zyrtarët policorë nuk janë duke marrë paratë për shujta dhe për punë jashtë orarit, të cilat janë të rregulluara me Ligj.

Gjatë ditës së sotme, avokati Gent Gjini ka deklaruar se zyrtari policor ka të drejtën e mendimit të lirë si qytetar, andaj i tillë sipas tij ishte edhe postimi i policit Amir Hoxha.