“Politikë se jo mahi”, Hoti: Uashingtonin e Brukselin i kanë zëvendësuar me Ohrin e Bratisllavën

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qasjen e Qeverisë Kurti me aleatët.

Ai ka thënë se duke mos përfillur këshillat e aleatëve, Qeveria po bie në kurthin e presidentin serb.

Në profilin e tij në “Facebook”, ish-kryeministri Hoti ka shkruar se Qeveria aktuale ka zëvendesuart Uashingtonin e Brukselin me Ohrin e Bratisllavën.

Sipas tij, kjo është politikë se jo mahi.

“Duke mos përfillur këshillat e aleatëve, bien në kurthin e Vuçiqit që për qëllim ka tensionimin e situatës në veri. Kryetarët e zgjedhur me 2% i fusin në zyrë me polici dhe i mbajnë të ngujuar. Nuk i përfillin kërkesat e aleatëve kur u vijnë për vizitë në Prishtinë dhe u kërkojnë zgjedhje të reja në ato komuna pa kushte nga asnjëra palë. Shkojnë në Bratisllavë e merren vesh për shtensionim të situatës, por askush nuk di gjë se çfarë janë marrë vesh. Uashingtonin e Brukselin i kanë zëvendësuar me Ohrin e Bratisllavën. Kjo është politikë se jo mahi”, ka shkruar Hoti.