Pranohen edhe 84 viktima të tjera si pjesëmarrës në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Trupi gjykues ka marrë vendimin e pestë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku 84 parashtrues të kërkesave u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor.

Sipas njoftimit të gjykatës, ata do të përfshihen në grupin ekzistues 1, i cili numëronte 53 viktima pjesëmarrëse dhe do të përfaqësohen nga përfaqësuesi i njëjtë i viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftim thuhet se kjo e dërgon numrin total të viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje, në 137.

Kurse, gjykata njofton se 86 kërkesa janë refuzuar.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.