Presidenca: Kishte ndërhyrje në tekstin për biografinë e Jakup Krasniqit

Gjatë ditës së sotme u raportua se ish-zëdhënësi UÇK-së, historian dhe politikan, Jakup Krasniqi u prezantua si i akuzuar për krime lufte në biografinë zyrtare të tij në uebfaqen e Zyrës së Presidentit, raporton Front Online.

Në lidhje me këtë reagoi zyra e presidencës ku theksuan se nuk kanë qenë të njoftuar me ndërhyrjen e tekstit në uebfaqen sa i përket biografisë së Krasniqit.

“Presidentja Osmani dhe as stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi”, bëhet e ditur nga kjo zyrë.

Sipas reagimit thuhet se tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush.

“Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës”, deklaruan tutje.

“I kërkojmë ndjesë z.Jakup Krasniqi dhe familjes së tij për situatën e krijuar dhe e sigurojmë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj”, potencuan nga kjo zyrë.