Presidenti gjerman: Pandemia e koronavirusit nuk është luftë. Disa liderë po spekulojnë

Një test për njerëzimin, kështu e cilësoi presidenti gjerman Frank Walter Steinmeier situatën e krijuar nga përhapja e pandemisë së coronavirus. Në një dalje për mediat dhe me një mesazh për festën e Pashkëve, presidenti gjerman kundërshtoi pikëpamjet e disa liderëve, duke thënë se pandemia nuk është “një luftë” dhe duke kërkuar që gjermanët të tregojnë solidaritet me Evropën e jo vetëm.

“Jo, kjo pandemi nuk është luftë. Kombet nuk luftojnë kundër kombeve dhe as ushtarët kundër ushtarëve. Përkundrazi, është një provë e njerëzimit tonë. Ajo sjell më të mirën dhe më të keqin tek njerëzit. Le t’i tregojmë njëri-tjetrit më të mirat tek ne. T’ia tregojmë Evropës. Gjermania nuk mund të dalë nga kjo krizë e fortë dhe e shëndetshme nëse fqinjët tanë nuk janë të fortë dhe të shëndetshëm”, tha ai.

Gjatë mesazhit drejtuar kombit, presidenti gjerman theksoi nevojën për të gjetur sa më shpejt një vaksinë kundër covid-19 dhe të ndihmohen vendet më të varfra të botës.

Duke uruar Festën e Pashkëve, presidenti gjerman nënvizoi se pas kësaj krize shoqëria do të jetë krejt ndryshe, duhet të lërë pas frikën dhe mosbesimin.

Gjermania është duke e menaxhuar pandeminë më mirë sesa fqinjët e saj, sikundër Italia apo Franca, por edhe Spanja, duke shtuar shpresën se pas Pashkëve do të nisin të lehtësohen edhe kufizimet.