Presidentja Vjosa Osmani përmend krimet serbe, derisa pranë saj gjendet Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në Këshill të Sigurimit të OKB-së se Serbia e ka eskaluar agresionin ndaj Kosovës, duke përmendur kidnapimin e policëve në veri, sulmin ndaj gazetarëve dhe sulmin në Banjskë.

Ajo ka deklaruar të hënën se autoritetet serbe janë përgjegjëse për sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit pasi “kryerësit e sulmit sillen lirshëm në Serbi e vazhdojnë të marrin kontrata të mëdha nga qeveria e Vuçiqit”.

“Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Pas këtij sulmi, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka përdorur prani të madhe ushtarake të artilerisë me tanke e njësi të mekanizuara…Serbia bën përpjekje për të prishur integrimin e serbëve në Kosovë…Serbët në Kosovë janë nën trysni, por jo nga Kosova po nga Qeverisë e Serbisë”, është shprehur presidentja Osmani.

Duke folur për procesin e votimit në veri, Osmani ka theksuar se serbët lokalë u mbanë nën presion dhe s’e shfrytëzuan mundësinë për votim.

Osmani ka folur para Këshillit të Sigurimit se mijëra gra në Kosovë kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, duke përmendur Vasfije Krasniqin dhe Shyhrete Tahirin, dy të mbijetuara.

“Vasfije Krasniqi ishte 16-vjeçe kur u dhunua dy herë nga forcat policore të Milosheviqit. Ata donin t’ia mbysnin shpresën. ‘Më shumë do të heqësh nëse vazhdon të jetosh’ i kanë thënë ata, kur ajo i kishte lutur që ta mbytnin. Shyhrete Tahiri-Sulejmani gjithashtu është një nga mijëra të mbijetuara nga dhuna seksuale në Kosovë. Ajo ka qenë cak i krimit njerëzor. Është dhunuar para vajzave, njëra 3-vjeçare e tjetra 1-vjeçare. Forcat e Milosheviqit kryen këto krime para syve të fëmijëve që dhimbja të kalonte nga gjenerata në gjeneratë”, ka thënë Osmani.

Prezente pranë Osmanit ishte edhe Fahrije Hoti që bashkëshorti iu zhduk nga forcat serbe. Osmani ka folur edhe për mbijetesën e saj dhe aktivitetin e saj si mesazh për të kërkuar drejtësi.

“Do të përsëris që t’i mbajmë llogaridhënës ata kryerës të veprave…Mbi 1.600 individë në Kosovë ende janë të zhdukur e të varrosur në varrezat masive në Serbi…Kërkojmë kthimin dhe vazhdojmë të punojmë për të zgjedhur rrugën e drejtësisë, e kjo rrugë është për të forcuar përkushtimin tonë që krimet e tilla të mos përsëriten më asnjëherë”, ka thënë ajo.

Presidenti Vuçiq u ankua nga prezenca e Krasniqit, Tahirit dhe e Hotit, duke u shprehur se ky ishte “kurth për delegacionin serb”.

E, Osmani u kundërpërgjigj duke thënë se ato janë pjesë e kabinetit të saj.

Lini një Përgjigje