Prezantohet projekti për Stadiumin Kombëtar të Kosovës, kapaciteti i tij 30 mijë ulëse (foto)

Sot është prezantuar projekti për stadiumin Kombëtar të Kosovës, i cili do të ketë një kapacitet prej 30 mijë ulësesh.

Ai do të jetë në afërsi të aeroportit “Adem Jashari”, derisa do të ketë fusha ndihmëse, konvikt për lojtarët, i rrethuar me hotele, dyqane, pishina e gjëra e të tjera rekreative.

Stadiumi Kombëtar i Kosovës po konsiderohet si projekti më i madh i infrastrukturës sportive në historinë e Kosovës.

Për nisjen e ndërtimit të këtij stadiumi futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, kanë shprehur falënderimin dhe gëzimin e tyre përmes një dokumentari të shkurtër. Ata thanë se do t’ua kthejnë këtë të mirë me fitore, transmeton KP.

Me këtë rast kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova do ta ketë stadiumin më të bukur në Ballkan. Tha se djemtë e përfaqësues së Kosovës kanë treguar se me përkushtimin e vendosmërinë çdo gjë është e mundur, e edhe beteja për shtetin tonë.

“Republika e Kosovës do ta ketë stadiumin më të bukur në Ballkan gjithsesi edhe ky duhet të ndërtohet. Duhet të fillojë këtë vit. Këta djemtë tanë janë duke bërë diçka të jashtëzakonshme, janë duke bërë të jashtëzakonshme edhe momentin kohor në të cilin jemi”, ka thënë Veseli, derisa ka shtuar se, “Është e mundur ta fitojmë suksesshëm edhe betejën për shtetin tonë, për të mirën tonë, por edhe për zvogëlimin e të keqes sonë, siç është lufta kundër korrupsionit dhe dukurive negative. Këta po tregojnë se Kosova, gjeni jonë, identiteti jonë ka mundësi të ecë përpara sikurse Majlinda Kelmendi”.

E ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se ky është projekti më kapital sa i përket investimit në infrastrukturën sportive në historinë e Kosovës. Ai bëri të ditur se për disa muaj do të fillojë edhe realizimi i këtij projekti.

“Është natyrisht një ditë e veçantë për neve prezantimi i stadiumit Kombëtar. Një projekt kapital, një projekt i cili është më i madhi sa i përket investimit në historinë e vendit tonë. Ka qenë një periudhë jo e lehtë, hartimi i projektit, konsultat e shumta dhe në fund kemi arrit ta kemi një projekt i cili i plotëson edhe kushtet por në të njëjtën kohë edhe nevojat për sportistët por edhe për futbollit tonë. Jam shumë i bindur që për një periudhë të shkurtë, për disa muaj do ta fillojmë jetësimin e këtij projekti”, tha Gashi.

Gashi tha se që ajo që e karakterizon këtë projekt, është se qyteti më i largët në Kosovë nga stadiumi do të jetë më pak se një orë.

Ndërsa kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, tha se Stadiumi Nacional përveç rëndësisë së madhe që ka për futbollistët, ka një rendësi shumë të madhe për qytetarët, të cilët janë një popull që e duan futbollin, ndërsa interesimin e tyre të madh në numër nuk kanë mundur ta plotësojnë me stadiumin aktual ‘Fadil Vokrri’.

Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës Milot Rashica, është shprehur tejet i gëzuar se Kosova do të bëhet me stadium nacional. Tha se bashkë me lojtarët e tjerë do të flasin në fushë për të na bërë krenarë.

“Unë s’po kam qejf me fol shumë. Unë bashkë me bashkëlojtarët e mi, e thanë edhe ata më herët, do të mundohemi të flasim në fushën e futbollit, kemi me dhënë maksimumin siç kemi vazhduar deri tash, shpresoj të vazhdojmë t’iu bëjmë krenarë. Normal, fillimi i projektit të stadiumit është diçka e madhe edhe për neve si lojtarë por po shihet edhe interesimi i madh i njerëzve me shikuar jo veç kur luajmë në Prishtinë, por edhe në vende të tjera dhe besoj këta njerëz që e duan shumë sportin me e pas një stadium dhe të na përkrahin siç na kanë përkrahur deri tash”, tha Rashica.

Arkitekti i projektit Murat Tabllandiogllu ka dhënë detajet se si do të duket stadiumi i ri. Tha se stadiumi i cili është projektuar sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s, do të ketë një kapacitet për 30 mijë persona.

“Është në mes të qytetit, shumë afër aeroportit. Për një stadium është shumë i rëndësishëm drejtimi, dielli dhe hija. Jemi duke i punuar standardet më të mira të FIFA-s dhe UEFA-s për 30 mijë persona. Të gjithë duam një pamje shumë të mirë, dhe i rëndësishëm është edhe zërimi. Kështu që nëse jemi të gjithë bashkë 30 mijë njerëz, lojtarët duan të kenë mundësinë të na dëgjojnë. Por nuk duam që ta bëjmë thjeshtë një stadium. Ditëve të sotme na nevojitet stadium edhe për trajnime për sporte të llojeve të ndryshme, parking për vetura. Në këtë projekt duhet të ketë edhe hapësira për blerje, restorante, vende për argëtim, dhe hotele sportesh ose hotele biznese, hapësira të bukura të gjelbra, për t’iu bashkëngjitur kompleksit”, tha ai.

Ai tha se do të jetë i ngjashëm me stadiumin e Bayern Munich, i cili poashtu është afër aeroportit.

Sipas tij, hapësirat e gjelbra përreth do të përbëhen nga dyqane, restorante, pishina e të tjera.