Procedohet penalisht kryetarja e bashkisë së Shkodrës

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për pengimin e votimit.

Ajo bllokoi disa prej qendrave të votimit, me argumentin se 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh.

Për këtë, KQZ u detyrua të caktojë 6 qendra të reja votimi duke dërguar materialet zgjedhore atje që të mundësojnë votimin e qytetarëve.

Në një reagim për mediat, Ademi tha se ka prova me video që do i dorëzojë në Prokurori.

Ajo thotë se të gjitha veprimet e saj janë bazuar në dekretin e presidentit Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, dhe me një dekret tjetër caktoi 13 tetorin si datë zgjedhjesh.

“Procedimi penal nuk është i ditës së sotme. Është paralajmëruar dje në transmetim direkt nga komisarët e KQZ, nga kryeministri. prefekti, ministri i Brendshëm. që publikisht kërcënuan një kryetare bashkie në detyrë, në përputhje të funksioneve të saj. Nuk habitem nga procedimi që u njoha vetëm përmes medias. Dua të deklaroj se unë si kryetare e bashkisë, nuk kam shkelur asnjë ligj dhe kështu asnjë nga punonjësit tanë dhe asnjë qytetar i Shkodrës. Bashkia ka zbatuar vetëm kushtetutën. Kam zbatuar ligjin për vetëqeverisjen vendore”, tha Ademi.