Profesori Arifi: Status quo-ja në dialog po e dëmton Kosovën dhe po i konvenon Serbisë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se si Kosova edhe Serbia po gjejnë arsyetime për ta penguar dialogun.

Arifi në RTV Dukagjini thotë se te dy palët po këmbëngulin në gjëra që nuk janë reale, por sipas tij jo të dyja palët e pësojnë njëjtë.

“Pala kosovare është ajo që e pëson më së shumti pasi jemi vendi më i izoluar dhe nuk po mund të lëvizim asgjë. Palës tjetër i konvenon status quo-ja se si po zhvillohet”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Arifi thotë se Kosova duhet të bisedojë me partnerët e vet dhe t’i shtrojë në tavolinë alternativat për zgjidhjen finale.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se Kosovës i duhet më shumë njohja nga bashkimi Evropian se Serbia.

“Po të na kishin njohur së paku katër vendet mos njohëse të NATO-s situata do të ishte ndryshe”.

Arifi thotë se zgjedhja e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë do ta stabilizonte Ballkanin dhe do të ishte lehtësim edhe për Evropën.

Kohëve të fundit është vërejtur iniciativa e SHBA-së për të dërguar para proceset në Ballkan.

Emërimi i diplomatëve që e njohin rajonin e Ballkanit, po shihet si hap që SHBA dëshiron një dinamikë të re në përmbylljen e problemeve të hapura në Ballkan.