Profesori Krasniqi tregon se çfarë do të ndodhë nëse vendi shkon në zgjedhje të reja

Njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi, njëherësh edhe profesor universitar, ka folur rreth finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, për të cilën tha se nëse dy partitë fituese të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arrijnë marrëveshje, mund t’i kushtojë me përmbysje të rezultatit të tyre gjatë zgjedhjeve të reja.

Në një prononcim për Gazetën Metro, profesori Krasniqi tha se këto dy subjekte politike e kanë të hapur rrugën për formimin e Qeverisë, mirëpo nëse shkojnë në zgjedhje të reja, sipas tij mund të ketë abstenim të madh nga votuesit e dëshpëruar dhe mund të krijohen koalicione të reja që mund të përmbysin rezultatin e tyre.

‘VV e LDK e kanë të hapur rrugën për formimin e qeverisë. Nëse nuk e krijojnë, do të bartin përgjegjësi për paaftësi dhe egoizëm. Kjo mund t’u hakmerret, nëse shkohet në zgjedhje të reja, sepse mund të ketë abstenim të madh të zgjedhësve të dëshpëruar. Poashtu, mund të krijohen koalicione të reja, të cilat mund ta përmbysin rezultatin e VV e të LDK. Pra, VV e LDK e kanë shansin real të formojnë qeverinë, nëse nuk e formojnë, jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme mund të jenë humbëse, e pakta njëra prej tyre po’, ka thënë Krasniqi.

Gjatë ditës së sotme, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka njoftuar se brenda kësaj jave do të takohen liderët e këtyre dy partive me qëllim të finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re, mirëpo nëse LDK vazhdon të insistojë për postin e presidentit, sipas Haxhiut alternativa e vetme është që vendi të shkojë në zgjedhje.

E për këtë ka reaguar edhe profesori Krasniqi, i cili tha se përfshirja e postit të presidentit në marrëveshjen për qeverisje është praktikë jokorrekte dhe jokushtetuese. Por, sipas tij kjo praktikë e keqe po ndiqet nga rastet e mëhershme, gjë e cila nuk duhej të ndodhte.

‘Pëfshirja e postit të presidentit në marrëveshjen për qeverisje, gjë që ka qenë praktike edhe më herët, realisht nuk është politikisht korrekte dhe as në frymën e Kushtetutës. Sepse posti i presidentit është i pavarur nga qeveria, mund të ketë kohabitacion e nuk është e domosdoshme që presidenti të jetë i koalicionit qeverisës. Por, po ndiqet praktika e keqe e rasteve të kaluara, gjë që vërtet nuk do të duhej të ndodhte’, ka përfunduar Krasniqi për Gazetën Metro.

Lideri i VV’së, Albin Kurti duke u shprehur optimist për arritjen e koalicionit qeverisës, ka bërë të ditur se sot rreth orës 17:00, do të takohet me kreun e LDK’së Isa Mustafën.

Kujtojmë se VV-LDK tash e një kohë të gjatë janë duke negociuar përmes ekipeve të tyre për arritjen e koalicionit për formimin e Qeverisë së re, që pritet të ndodhë së shpejti.