Propozimet e Kurtit për shtensionim të situatës në veri/ Opozita: Të vonshme dhe pa vlerë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka prezantuar tetë hapa e që sipas tij konsiderohen si të nevojshëm për shtensionim të situatës në veri të vendit.

Ai i ka prezantuar katër hapat që thotë se Kosova i konsideron si të nevojshëm dhe që është e gatshme që të angazhohet në to, e po ashtu edhe katër hapa të tjerë që Kurti pret që të kryhen nga Serbia, shkruan Front Online.

Këto propozime të Kurtit, kanë ardhur pas kohës kur Bashkimi Evropian, ka paralajmëruar sanksione ndaj Kosovës, për shkak të mosndërmarrjes së hapave për të ulur tensionit në veri.

Por, si po i shohin këto propozime nga opozita?

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se të njëjta më nuk kanë asnjë vlerë, derisa nga AAK-ja, po i shohin të vonshme.

Përgjigje për këtë nuk kanë dhënë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kujtim Shala për hapat e propozuar nga Kurti: Nuk kanë më asnjë vlerë

Deputeti i LDK-së, njëherit nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala ka thënë se hapat që i ka propozuar kryeministri Kurti sikurse edhe në raste të tjera bëhen kur më nuk kanë vlerë.

“Sikurse edhe në raste të tjera, propozimet bëhen kur nuk kanë më asnjë vlerë”, ka deklaruar shkurt Shala, për Front Online.

Deputetja e AAK-së: Kurti pasi krijoi tensione tani propozon hapa, janë tepër të vonshme

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ka deklaruar propozimet e kryeministrit Kurti janë të vonshme, pasi që situata atje tashmë është e tensionuar.

Sipas saj, i pari i Qeverisë, a vënë në lajthitje edhe raportet me miqtë ndërkombëtarë

“Pasi e bëri të veten dhe prodhoi tension shumë të madh me vendimet e tij të njëanshme e pa i marrë asnjëherë parasysh këshillat e miqve tanë tashmë ka dalë me një propozim disa pikësh, që për mendimin tim janë shumë të vonshme pasi mungesa e bashkëpunimit, e diskutimit me të gjithë aktorët relevantë e vendosur Kosovën në një pozitë aspak të lakmueshme veçanërisht kur e dimë rolin e Amerikës për Kosovën dhe të luash rolin e të fortit me dikë që ka qenë në etapa tejet të rëndësishme për shtetndërtim, aq sa është e dhimbshme po aq edhe e ulët”, ka deklaruar Bytyqi, për Front Online.

Ajo, ka deklaruar se nuk e din se si do të priten këto propozime, por se tashmë është bërë vonë.

“Nuk mund të paragjykojë se si do të priten këto propozime të kryeministrit nga palët tjera, megjithatë mendoj që janë tepër të vonshme”, ka shtuar deputetja Bytyqi.

Që nga 26 maji, qytetarët serbë në veri të vendit janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur dhe lënduar. Po ashtu u raportua edhe për dhjetëra protestues të lënduar.

Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore përfunduan edhe gazetarë të mediave të ndryshme.

Gjatë kësaj kohe u kidnapuan edhe tre zyrtarë policor të Kosovës të cilët u mbajtën për 10 ditë në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë.