Protesta e arrestime në Vushtrri, kërkohet shkarkimi i presidentit të klubit të futbollit, Bajrush Kajtazi

Tifo-grupi nga Vushtrria, “Forca” ka protestuar sot duke kërkuar dorëheqjen e presidentit të klubit, Bajrush Kajtazi.

“Forca” publikoi pamje nga ky aktivitet, ku shiheshin shumë anëtarë gjatë protestës së sotme.

Sipas Forcës, në orët e mbrëmjes, gjatë shpërndarjes, pati edhe arrestime nga policia, shkaku i thyerjes së rregullave të pandemisë Covid 19.

Njoftimi i plotë i “Forcës”

TË NDERUAR QYTETARË TË VUSHTRRISË

Fillimisht ju falemnderojmë nga zemra që keni gjetë kohë të përgjigjeni ftesës sonë në një numër kaq të lartë, ku si pasojë erdhi te intervenimi i policisë (me direktiva nga lartë) duke na kërkuar që të shpërndahemi sepse gjoja jemi duke i thyer rregullat e masave antiCovid-19.

Gjatë shpërndarjes padrejtësisht pati edhe arrestime, ne jemi të bindur që krejt kjo është fushatë e orkestruar nga lartë me qëllim për të na friksuar, por ne për asnjë çmim nuk do të zmbrapsemi, do të vazhdojmë me protesta, në qoftë se kërkesat tona nuk do të merren në konsideratë atëherë si alternativë e fundit do të jetë bllokimi i stadiumit nga ana jonë dhe nuk do të ketë asnjê aktivitet brenda stadiumit!

Prandaj kërkojmë që përgjegjësi Bajrush Kajtazi të largohet pa asnjë kusht, kërkojmë nga kryetari i komunës që sa ma shpejtë të marrë masa që klubi t’i kthehet qytetit!

SKA MU NAL
SKA MU DORËZU
KLUBI ËSHTË I QYTETIT