PSD-ja insiston: Ka pasur takim mes Kurtit dhe Trendafiloves

Pavarësisht se Gjykata Speciale ka mohuar se ka pasur takim mes kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Partia Social Demokrate beson se një takim i tillë ka ndodhur.

I ftuar në emisionin “Ditari” në Tëvë1, anëtari i PSD-së, Lisjan Perolli thotë se ky takim ka ndodhur, mirëpo sipas tij, nuk kanë dashur që ta bëjnë publik.

“E kemi paralajmëruar që ishte një takim në mes të Trandafilovës dhe zotit Kurti në hotel Sirus… Ne besojmë që po ka pasur takim…Besojmë që nuk kanë dashur që ai takim të jetë publik, por sido që të jetë edhe nëse nuk ka ndodhur ai takim ka ndodhur takimi sot, pra institucionet e Kosovës, Ministria e Drejtësisë po vendos që ta takojë këtë gjykatëse edhe ta legjitimojë prezencën e saj edhe në opinionin publik sepse nuk mund ta harrojnë që Trendafilova po tenton ta normalizojë këtë, gjykata është e zhytur në skandale dhe përpos që po tenton të njollosë luftën çlirimtare të UÇK-së ajo tashmë është edhe në shkelje të drejtave të njeriut siç ka raportuar IKD në raportin e saj për gjykata”, tha ai.

Tutje Perolli tregoj arsyet se pse Trendefilova e ka anuluar vizitën e saj pas paralajmërimit të PSD-së për protestë.

“Besojmë që janë dy arsye që zonjës Trendafilova dhe Gjykatës Speciale nuk i konvenon një protestë e tillë. E para është sepse për ta shtruar vetën dhe për të qenë legjitim në opinionin publik të Kosovës i duhet qetësia dhe së dytë tashmë ka zëra edhe në nivel ndërkombëtar që po e kritikojnë Gjykatën Speciale”, tha Perolli.