PSD-ja paralajmëron: Kurdo që vjen Trendafilova do të ketë protestë

0
84

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj së bashku me nënkryetarin Qëndron Kastrati kanë mbajtur sot një konferencë për media, lidhur me vizitën e paralajmëruar të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendalifova.

Molliqaj dhe Kastrati deklaruar se kjo gjykatë tashmë ka filluar të merret me imazhin e saj, pra duke bërë politikë.

“Kryetarja Ekaterina Trendalifova, anuloi vizitën e saj. Por cili është qëllimi apo kuptimi i takimit të një gjykate me shoqërinë civile? Tejet e çuditshme, apo jo? Gjykata Speciale tashmë as nuk po fshehet prapa drejtësisë. Ajo ka filluar të merret me imazhin e saj. Po bënë politikë”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje ata kanë deklaruar se Gjykata Speciale ka nisur tash e 7 vite, me një qasje një-etnike ndaj luftës në Kosovë, me shkeljen e të drejtave të njeriut për të akuzuarit, me gjyqtarë racist që shqiptarët i sheh si “kafshë që duhen zbutur”, e deri tek mungesa e simboleve shtetërore të Kosovës në një gjykatë të saj.

“Roli i Gjykatës Speciale nuk është ai i sjelljes së drejtësisë, por i damkosjes së UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare. Por sido që të rrjedhin ngjarjet, dhe për kurdo që do të shtyhet vizita, protestë do të ketë. Nga qëllimi dhe mbajtja e protestës nuk heqim dorë. Ajo do të ndodh po atë ditë kur të konfirmohet vizita e znj.Trendafilova”, kanë deklaruar udhëheqësit e këtij subjekti.

Molliqaj e Kastrati kanë shtuar se tendecave që përmes këtyre takimeve të normalizohet përndjekja politike do t’u përgjigjen pa hezitim, me rezistencë.