PSD: Qeveria Kurti duhet të shkarkohet, ishte Qeveri e spektaklit

Sot Partia Socialdemokrate ka mbledhur kryesinë e saj për të diskutuar mbi situatën e krijuar politike në Kosovë.

Ky subjekt politik beson që qeveria Kurti duhet të shkarkohet, thuhet në njoftimin e tyre, transmeton Fokusi.info

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si mënyra e vetme për të prodhuar një qeveri të re legjitime. Ashtu siç Kosova nuk mund të ecë përpara me qeverisje të mentalitetit të vjetër, njësoj, nuk mund të ketë përparim me një qeveri të mendësisë bolshevike e populiste. Qeveria Kurti erdhi dhe po shkon pa asnjë program serioz, të majtë e progresiv, që adreson problemet ekonomike e sociale të Republikës së Kosovës dhe që e zgjidhë përfundimisht problemin e pazgjidhur me Serbinë”.

“Nuk pamë sepse nuk pati asnjë plan progresiv për ekonominë. I ashtuquajturi program qeverisës, në 45 faqet e tij nuk përmend pothuajse fare fjalën barazi, e nuk flet as për rishpërndarje. Në vend të kësaj, programi dominohet nga termat si menaxhimi, efiçienca, kursimet, racionalizimi, e të tjera si këto. Vlerësuar nga programi, qytetarët nuk e kanë humbur një qeverisje transformuese”, thuhet në kumtesë.

Partia që drejton Dardan Molliqaj konsideron se vendi ka pasur një qeveri të spektaklit.