Pse BE-ja s’e përmend njohjen reciproke? Lajçak: Jemi në një linjë me ShBA-në

Bashkimi Evropian po bashkëpunon ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, thotë përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Faktin që BE-ja nuk e përmend njohjen reciproke por “normalizimin e raporteve” kur flitet për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi, Lajçak nuk e sheh si pengesë në këtë bashkëpunim. Ai tha në një intervisë për Gazetën Express se BE-ja është plotësisht në linjë me ShBA-në.

“Jo, nuk e shoh këtë si pengesë, sepse ne jemi plotësisht në linjë me ShBA’në për atë se çfarë duam të arrihet nga ky proces, që është një zgjidhje e qëndrueshme afatgjate. Duam nga Kosova dhe Serbia që ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të shikojnë nga e ardhmja dhe për këtë jemi në të njëjtin qëndrim. Në fund, nuk është mbi BE’në dhe ShBA’në, por mbi udhëheqësinë e Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të ulen në tavolinë dhe të merren vesh. Askush nga jashtë nuk mund ta bëjë këtë për ju dhe kjo është për të ardhmen tuaj”, thotë Lajçak.

Emisari sllovak nuk e sheh si kontradiktë faktin që ShBA-ja këmbëngul në njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa BE-ja nuk e përmend këtë.

“BE’ja thotë “normalizim raportesh”. Nuk dua ta shikoj si kontradiktë. Formula e BE’së është më e gjerë, është më gjithëpërfshirëse dhe e theksoj faktin se ne s’jemi duke e diktuar zgjidhjen. Ju jeni ata që vendosni për zgjidhjen, të dyja palët. Ne nuk themi se çfarë duhet të bëhet apo çfarë nuk duhet të bëhet. Ju e zotëroni procesin”, tha Lajçak.