Qalaj: Paga minimale të bëhet 350 euro, të mos diskriminohen veteranët e luftës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj në një konferencë për media ka thënë se Projektligji për përcaktimin e Pagës Minimale që është sot në rend dite në seancën e Kuvendit, është i papranueshëm për PDK-në, pasi është projektligj diskriminues.

Qalaj kërkoi që paga minimale të ngritet në 350 euro dhe të bëhet plotësim ndryshimi i Projektligjit për Pagën Minimale.

PDK e konsideron të papranueshme lënien anash nga ky projektligj të disa kategorive shumë të ndjeshme siç janë të verbërit dhe njerëzit me sëmundje të paralizës, të cilët nuk ndihmohen pothuajse fare nga shteti, si dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që sot të mos votohet fare ky projektligj, të tërhiqet në Qeveri, pastaj të plotësohet me këto kategori. Po ashtu, kërkojmë që lartësia e pagës minimale të ngritet në 350 euro, sepse shuma prej 250 eurosh nuk mjafton as për gjërat elementare të shumicës së kategorive të cilat do të futen në këtë pagë minimale.”, tha Qalaj.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka bërë një propozim në mënyrë arbitrare pa u konsultuar fare me Këshillin Ekonomiko-social, i cili në bazë të Ligjit të Punës duhet të jap propozimin për pagën minimale në Kosovë.

“Qeveria duke u sjellë në mënyrë arrogante ka propozuar që paga minimale të jetë 250 euro, mirëpo ka përjashtuar shumë kategori të rëndësishme të vendit. Ju e dini që premtimet e kryeministrit të tashëm Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore, kanë qenë që paga minimale të jetë 350 dhe me këtë ka bërë kampanjën kudo dhe ka marrë mbështetjen gjerë të masave popullore. Ndërsa me anë të këtij projektligji propozon ngritjen e pagës minimale në 250 euro, pagë e cila nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e qytetarëve të Kosovës, duke pasur parasysh që zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në vend me ngritjen enorme të çmimeve, sidomos të produkteve bazike që prekin direkt qytetarët e Kosovës”, theksoi Qalaj.