‘Qasja në arkivat e UÇK’së’, anëtari i grupit të ekspertëve për dialogun distancohet nga delegacioni i Kosovës

Pjesëtari i grupit të ekspertëve në mbështetje të delegacionit në bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Muharremi është distancuar nga qëndrimi i delegacionit të Kosovës për qasjen në arkiva të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çka ka folur zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Këtë e ka bërë të ditur vet Muharremi nëpërmjet një postimi në Facebook ku ka thënë se deklaratat e fundit kanë dëmtuar përpjekjet e delegacionit të mëparshëm që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të mos përfshihet në diskursin rreth përsonave të zhdukur.

Ai ka thënë se hapja e arkivave të UÇK’së ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Serbisë për ndryshimin e narracionit të “fajtorëve”, për personat e zhdukur dhe për ta barazuar UÇK’në me Serbinë.

Ai e cilëson se deklarata e bërë ka efekt të dëmshëm dhe pasoja për Kosovën, duke marrë parasysh edhe proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë dhe për këtë arsye ka vendosur të distancohet.