Qëndroi më shumë se një javë në Greqi, Kurti “harron” t’ua dërgojë propozimin veteranëve të UÇK-së

Çështja e Ligjit për Rritjen e Pagës Minimale i cili u votua disa javë më parë në parlament, është një temë e cila është duke mbizotëruar në skenën politike por edhe në sferën e mediave.

Edhe pse ky Ligj u miratua, kjo çështje vazhdon të jetë aktuale. Kjo për shkakun se ligji nuk parasheh që bashkë me pagën minimale të rriten edhe pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së, shkruan lajmi.net.

Kundër këtij ligji, organizatat e dala nga lufta zhvilluan protesta duke kërkuar që të bëhen pjesë e tij. Ndërsa pas miratimit, këto organizata thanë që do të vazhdojnë me të njëjtat kërkesa deri në plotësimin e tyre.

Ndërsa nga qeveria, më saktësisht kryeministri Albin Kurti, kishte paralajmëruar se do të dërgojë një propozim me shkrim në drejtim të veteranëve, përmes të cilit do të zgjidhet kjo krizë.

I pari i qeverisë, këtë paralajmërim e kishte bërë një ditë pas takimit që kishte pasur me veteranët, me saktë me 18 qershor 2022. Ai kishte deklaruar se propozimin do e dërgonin sa më shpejt, duke aluduar në javën pasuese.

“Propozimin me shkrim do të dërgohen sa më shpejt që të mundemi. Gjatë javës së ardhshme patjetër”, kishte deklaruar Kurti.

Në lidhje me këtë lajmi.net, ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.

I pyetur se a ju është dorëzuar propozimi i Kurtit dhe se a kanë pasur kontakte me kryeministrin apo me dikë nga kabineti i tij, Jashari tha se nuk ka ndodhur diçka e tillë.

“Jo s’ka dërguar hala kurrgjë. Kemi pritë, por hala hala s’ka dërguar propozim për se si do të dalim prej kësaj situate. Megjithatë qëndrimet janë të qarta. Jo s’kemi pas. Është thanë atë ditë në takim që ka me dërguar me shkrim, se ka dërgu deri me tani. Kjo është e tëra”, ka thënë Jashari.

Në anën tjetër përveç problematikës më Ligjin për Rritjen e Pagës Minimale, Kosova është duke u përballur me një valë krizash, si ajo e rritjes së çmimeve për produktet esenciale, energjisë, naftës, grurit, por edhe me çështjen e dialogut, zërat për të cilin çdo ditë vinë e shtohen se duhet të rifillojë dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Pavarësisht këtyre, kërkesave të veteranëve, pakënaqësisë qytetare karshi krizës ekonomike dhe kërkesave për rifillim të dialogut, kryeministri Albin Kurti, është akuzuar se po mban një qasje po thuajse mohuese apo injoruese ndaj problematikave aktuale.

Ndonëse sot u kthye në Kosovë, i pari i Qeverisë që më shumë se nja javë ka qëndruar në Greqi, ku ka marrë pjesë në simpoziumin “Symi”, i cili u mbajt në rivierën greke, në Lagonissi.

Lajmi.net ka raportuar se Kurti ka qëndruar në një hotel me pesë yje, në të cilin dhoma më e lirë për një natë kushton 500 euro.

Nga Qeveria ndërkaq kanë mohuar zërat se Kurti ka shkuar aty me mjete vetanake apo shtetërore, duke thënë se shpenzimet kanë qenë të hequra nga organizatori.