Qeni i Sharrit sulmon një grua në Gjakovë, pronari përfundon në Polici

Sulmet e qenve endacakë jo vetëm në Prishtinë por edhe në qytete tjera janë në rritje. Shumë herë qytetarët e kanë pësuar keq nga këto sulme, e në shumë raste viktima kanë qenë edhe fëmijët. Një rast i tillë ka ndodhur edhe pasditen e së dielën në rrugën ‘Adonis Beci’ në Gjakovë, por këtë herë jo nga një qen endacak, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se një grua 57-vjeçare është sulmuar nga një qen i Sharrit, i cili dyshohet se ishte pa përkujdesje. Sipas burimeve ajo është dërguar atje me lëndime të rënda në dorë, ndërkohë që rasti është denoncuar edhe në Polici.

Njësitë policore kanë shoqëruar në stacion për intervistim pronarin e qenit, i cili para hetuesve ka deklaruar se qeni i tij është larguar nga kafazi, por nuk e ka parë për shkak se ka qenë i zënë me punë.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.