Qeveria: Dokumenti i publikuar për Asociacionin nuk përkon me propozimin evropiano-amerikan

Një ditë më parë në disa media është publikuar draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Bashkimi Evropian më 21 tetor, mirëpo kjo është demantuar nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se dokumenti që ka qarkulluar mbrëmë për sa i përket draft-statutit të Asociacionit, nuk përkon me propozimin evropiano-amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Albin Kurti më 21 tetor.

“Dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmë në disa portale dhe televizione si “draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara.”, ka shkruar Kryeziu.

Ndryshe të martën është publikuar një draft-statut propozim ku objektivat kryesore raportohej të jenë, “Zbatimi i Marrëveshjes bazë të vitit 2013 e ratifikuar nga Kosova dhe e marrëveshjes së vitit 2015, siguron një vetëqeverisje kornizë me autonomi substanciale për komunitetin e serbëve të Kosovës, mbrojtje e dyfishtë”.